Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në Gjakovë ku është takuar me bashkëpartiakët e tij atje.
Ai ka thënë se tash e disa vite, AAK po i jep Gjakovës qeverisjen e duhur me Ardian Gjinin.
“Për disa mandate me radhë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, qytetit të Gjakovës po i ofron qeverisjen shembullore. Kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij i kanë dhënë shtytje të jashtëzakonshme përparimit dhe zhvillimit të këtij qyteti, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit që i bëhet nga niveli qendror”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Qeveria Kurti ka dështuar në disa tema madhore e që sipas tij Aleanca do ta ndihmoj Kosovën të dal nga kjo situatë.
“Qeveria jonë ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan e qytetarin e ka bërë më të varfër. Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke e ka larguar vendin nga rruga e saj euro-atlantike dhe synimi ynë madhor, anëtarësimi në NATO. Por ne do e ndihmojmë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar, përkrah Amerikës dhe botës demokratike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.