Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në përvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës ka thënë se ajo është motor i demokracisë dhe zhvillimit, por edhe mburojë e fuqishme ndaj secilit që rrezikon sistemin me qëllime autokracie.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj e ka quajtur Kushtetutën moderne dhe të avancuar.
“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancën e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit. Kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka ftuar qeverisjen aktuale “të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese” dhe ta ruajë sigurinë juridike që është ndërtuar me vjet.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike. Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës”, ka shkruar më tej ai.


