Deputeti dhe njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë rruga e humbur.
Haradinaj në deklarimet jashtë rendit të ditës ka thënë se kushdo që mendon se Qeveria e Albin Kurtit do ta nxjerrë Kosovën nga kjo rrugë do të dalë gabim.
“Nëse në parlament e shohim Qeverinë tonë që udhëheq vendin në drejtim të gabuar dhe i sjellë goditje vendit, si të veprojmë ne. Nëse dikush prej nesh ende shpreson që Qeveria Kurti do ta nxjerrë Kosovën nga rruga e humbur e nga sanksionet jam i bindur që do të dalë gabim. Besoj që është detyra e parlamentit me e nxjerrë Qeverinë nga drejtimi i gabuar”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka thënë se Kuvendi duhet t’i marr përgjegjësitë dhe ta shkarkojë Qeverinë Kurti.
“Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë. Ta ndihmojmë Kosovën me mocion. Ta shkarkojmë Qeverinë Kurti. Nëse ne heshtim në ketë situatë në vazhdimësi po bëhemi pjesëmarrës të përkeqësimit të gjendjes. Dita e sotme kur Kosova ulet si palë në tavolinë e ndëshkuar duhet të na japë alarmin për mocionin që ta nxjerrim Kosovën nga drejtimi i gabuar”, është shprehur Haradinaj.



