Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e Odës Nordike në Prishtinë, nga ku ka kërkuar nga bizneset e huaja që të investojnë më shumë në vend.
Me këtë rast kryeministri Kurti derisa ka falënderuar Suedinë dhe vendet tjera nordike për mbështetjen e dhënë me vite të tëra, ka thënë se shpreson që Oda të jetë urë lidhëse që bizneset nga këto vende të investojnë në Kosovë.
“Ky moment shënon një hapë të rëndësishëm. Si kosovarë ne shprehim falënderimin për mbështetjen që ka dhënë shteti i Suedisë. Ne shprehim falënderimin edhe për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës në rrugën euroatlantike. Ditë te mira po na presim përpara”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari tha se kosovarëve ju duhen bashkëpunëtorë nga jashtë dhe se ministria që ajo udhëheq është duke ofruar mundësi të mira për bizneset.
Ndërkaq Afërdita Pllana-Ibrahimi nga Oda Nordike tha se bashkë me bizneset do te punojnë për një të ardhme më të mirë për Kosovën.
“Oda do të jetë një vend për bizneset dhe kompanitë të cilat do të punojnë dhe do të ndajnë ide përmes të cilave do të përfitojë Kosova. Bashkë do të punojmë për një të ardhme më të mirë për komunitetin tonë”, tha ajo.
Ambasadori i Finlandës Matti Nissinen tha se bashkëpunimi ekonomik ndemjet vendit të tij dhe Kosovës do të vazhdojë dhe Oda do të jetë mundësi shumë e mirë.
Këtë nismë e cilësoi si të qëlluar edhe ambasadori i Norvegjisë Jens Erik Grondahl, duke shtuar se mbeten të përkushtuar në intensifikimin e bashkëpunimit.