Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hapur konkurs për pranimin e disa zyrtarëve policorë, raporton KosovaNews.
Në njoftim thuhet se vendi i punës do të jetë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën Veriore.
“Policia e Kosovës shpall konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit për të gjitha minoritetet (Serb, Boshnjak, Turq, Goran, Romë, Ashkali, Egjiptas, Kroat, Malazez, Maqedonas. Vendi i punës: Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.
Kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë duhet t’i përmbushin disa kritere, mesin e tyre duhet të kenë shtetësinë e Kosovës, të jetë nga 18 deri 30 vjeç, të kenë të përfunduar shkollimin e mesëm, tj.
Ata që3 aplikojnë do t’i nënshtrohen testit me shkrim, testit të aftësive fizike, intervistës, testit psikologjik, kontrollit mjekësor si dhe verifikimit të së kaluarës.
Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë nga data 5 janar deri më 26 janar 2023.
Detajet i gjeni në dokumentet më poshtë që ka publikuar Policia e Kosovës.
Në nëntor të vitit të kaluar, qindra serbë në veri të Kosovës u larguan nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe institucionet lokale e qendrore.
Dorëheqjet u dhanë në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me rirregjistrimin e vetura me targa serbe, në ato RKS.
Që nga ajo kohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat.
Kryeministri Albin Kurti ka ftuar më herët serbët e Kosovës, veçanërisht ata që nuk ka pasur shansin të punojnë në institucione, të aplikojnë në këtë konkurs./KosovaNews


Aplikacionin e gjeni në linkun më poshtë: