KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » Hapat që mund të zgjidhin problemin e vjetër të qenve endacakë
Tjera

Hapat që mund të zgjidhin problemin e vjetër të qenve endacakë

Kosova News
Kosova News 18:07 -25/09/2022
Shpërndaje
Shpërndaje

Edukimi në shkolla, regjistrimi i qenve me pronarë, dënimet për braktisjen e qenve dhe kontrolli i mbarështimit shihen si hapa që mund të çojnë në zvogëlimin e numrit të qenve endacakë në Kosovë.

Sulmet nga ta janë të shumta, sidomos gjatë stinës së dimrit, kur janë më të uritur. Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm në periudhën janar-mars të këtij viti janë regjistruar 42 raste të sulmeve nga qentë endacakë.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në prill për rastin e një qytetari në Prishtinë, Fidan Imeri, i cili është sulmuar pranë qendrës së qytetit.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje në nivel vendi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në fund të korrikut, ka hedhur në diskutim “Strategjinë kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë në Republikën e Kosovës” për vitet 2022-2028.

- Reklamë -

Në Kosovë nuk dihet numri i qenve endacakë dhe as i atyre me pronarë.

Strategjia, e cila është hartuar me iniciativë edhe të shoqërisë civile, synon që problemit të qenve endacakë t’i qaset përmes kontrollit të qenve me pronarë.

Sipas saj, burimet kryesore të qenve endacakë në Kosovë “identifikohen lehtësisht” dhe janë të lidhura me: braktisjen e qenve të padëshiruar nga pronarët, mbarështimin dhe shitjen e pakontrolluar të qenve, importin e paligjshëm të kafshëve shoqëruese dhe riprodhimin e vazhdueshëm të qenve të pasterilizuar në rrugë.

Ky dokument, tani për tani, vetëm është draftuar dhe mund të hyjë në fuqi vetëm pasi të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Pse nuk regjistrohen qentë në Kosovë?

Albion Raçi, një 31-vjeçar nga Prishtina, thotë se ka pasur gjithmonë dëshirë të mbajë qen në shtëpi. Ai ka në pronësi dy qenë të racës “Belgian Malionis”.

Raçi thotë se qentë e tij i ka pajisur me një mikroçip, që u është vendosur nën lëkurë nga veterinari. Kjo i siguron qenit një pasaportë për të lëvizur jashtë shtetit dhe për t’u identifikuar.

Raçi thotë se e ka bërë këtë në mënyrë vullnetare dhe nga dëshira personale, por tregon se pronarët e qenve në Kosovë edhe mund ta shmangin këtë hap.

“Mund të kesh një qen në Kosovë pa pikë problemi, askush nuk vjen të të pyesë diçka”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë nuk ka ndonjë databazë shtetërore, ku do regjistroheshin qentë me pronarë, përmes së cilës do të bëhej pastaj edhe identifikimi i qenve të humbur apo të braktisur. Regjistrimi i qenve, aktualisht, bëhet vetëm në baza individuale nëpër veterinari.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) thotë se po bën përpjekje për të nisur regjistrimin e qenve me pronarë.

“AUV, posa të fillojë projektin e identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronarë, do të bëjë njoftimin për të gjithë pronarët që t’i sjellin qentë pranë ambulancave veterinare të kontraktuara, në mënyrë që të bëjnë vendosjen e mikroçipit, vaksinimin kundër sëmundjes së tërbimit dhe pajisjen me pasaportë”, thotë AUV në një deklaratë për REL-in, por nuk specifikon kohën se kur mund të nisë një gjë e tillë.

Emina Haxhiu, pronare e katër qenve në Prishtinë, thotë se nuk sheh arsye për t’i regjistruar qentë e saj.

“Mua, para katër muajsh, më ka humbur qeni dhe ka pasur mikroçip. Në fund, nuk është arritur të gjendet”, thotë Haxhiu.

“Policia [e Kosovës] nuk e ka aparatin që e lexon mikroçipin. Atë pajisje e posedojnë vetëm veterinarët dhe në kufi”, thotë ajo.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Policinë e Kosovës nëse mund t’i identifikojë qentë me mikroçip, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Elza Ramadani, nga organizata Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë, thotë se regjistrimi dhe identifikimi i qenve me pronarë është hapi kryesor drejt menaxhimit të qenve endacakë.

“Qentë endacakë vijnë nga qentë me pronarë. Në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë menaxhim të qenve me pronarë”, thotë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Pse projektet e deritashme nuk e kanë zgjidhur problemin?

Problemi me qentë endacakë është i pranishëm prej vitesh në Kosovë.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në një studim të publikuar në vitin 2020, ka gjetur se më shumë se gjysma e qytetarëve, i kanë perceptuar qentë endacakë si kërcënim për sigurinë publike.

Projektet e para për trajtimin e qenve endacakë në Kosovë kanë nisur në vitin 2018 me metodën e kapjes, sterilizimit, vaksinimit dhe lëshimit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se atë vit janë trajtuar rreth 14 mijë qen.

“Projekti ka vazhduar edhe gjatë viteve 2020-2021, kur janë trajtuar rreth 7.000 qen endacakë”, thotë AUV dhe shton se kjo metodë nuk e ka zgjidhur problemin.

Projekte të shumta janë zhvilluar edhe nëpër nivele komunale, me ngritje të strehimoreve dhe vendeve për ushqyerjen e qenve endacakë.

AUV thotë se gjatë vitit 2020 ka ngritur 29 strehimore për trajtimin e qenve endacakë.

Nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thonë se metoda e kapjes, sterilizimit, vaksinimit dhe lëshimit të qenve është përcjellë edhe me parregullsi dhe dyshime për trajtim jo të mirë të kafshëve.

“Duhet theksuar se, në të kaluarën, masat që janë ndërmarrë, janë bërë pa monitorime dhe vlerësime, pa e kontrolluar mirë punën e veterinarëve në terren”, thotë Elza Ramadani nga ky fondacion.

Ajo thotë se në gjykata janë dorëzuar disa kallëzime penale, nën dyshimet për keqtrajtim të kafshëve nga veterinarët e kontraktuar për të praktikuar metodën e kapjes, sterilizimit, vaksinimit dhe lëshimit të qenve, por, sipas saj, rastet nuk kanë marrë epilog.

Një nga shtetet që llogaritet të jetë model suksesi për zgjidhjen e problemit me qen endacakë është Holanda.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë ekzistojnë rreth 200 milionë qen endacakë.

Edukimi nëpër shkolla për përgjegjësinë e mbajtjes së kafshëve shtëpiake dhe rregullat e rrepta për mbajtjen e qenve shtëpiakë dhe mosbraktisjen e tyre janë vetëm disa nga metodat e përdorura në Holandë për eliminimin e problemit me qen endacakë.

Sipas një shkrimi në ueb-faqen e lajmeve Dutchreview, Holanda ka rritur edhe taksat për blerjen e qenve, për të inkurajuar adoptimin e qenve të rrugës nga strehimoret.

Elza Ramadani thotë se organizata ku vepron ajo, ka insistuar që modeli i Holandës të futet brenda strategjisë kombëtare të Kosovës për qentë.

Sipas saj, problemi duhet të trajtohet nga rrënja, përfshirë edukimin në masë.

“Holanda ka bërë edukime masive nëpër shkolla, ka sanksionuar vazhdimisht braktisjet, ka ndaluar secilën shitore të kafshëve që të mbarështojë pa rregull etj.”, thotë Ramadani.

Në Kosovë, aktualisht, mungon edhe kontrolli i mbarështuesve ose personave që bëjnë shumimin e qenve, për t’i shitur më pas. Në këtë situatë nuk mund të dihet se ku përfundojnë këlyshët e qenve që mbarështohen.

Marrë parasysh koston financiare që mund të ketë realizimi i strategjisë kombëtare, Elza Ramadani nuk pret që Kosova të bëhet si Holanda së shpejti, por beson se qasja gjithëpërfshirëse është hap pozitiv.

Sipas saj, strategjia do të jetë e suksesshme edhe nëse “vetëm 50 ose 60 për qind e saj zbatohet siç duhet”.

Gjithashtu lexoni:

FSK-ja merr pjesë në konferencën e NATO-s në Gjermani

U.d. së presidentes Haxhiu përfaqëson Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Arratisen 2 persona nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, policia i kap dhe i kthen pas grilave

Haxhiu ngushëllon familjet e dy të rinjve kosovarë që humbën jetën në Shëngjin

Costa: Kosovës i duhen institucione të forta, stabile dhe funksionale

Kosova News 25/09/2022 25/09/2022
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
17°C
Pristina
light rain
18° _ 17°
80%
1 km/h
Thu
20 °C
Fri
24 °C
Sat
22 °C
Sun
25 °C
Mon
26 °C

Lajmet e Fundit

Dr. Metë Shatri synon të çojë zërin e profesionistëve në Kuvend
20:19 -04/06/2026
Theren me thikë dy persona në Prizren, policia jep detajet e fundit
20:01 -04/06/2026
FSK-ja merr pjesë në konferencën e NATO-s në Gjermani
19:24 -04/06/2026
Kërçeli së bashku me Kurtin dhe Rizvanollin, kafen e mëngjesit te gastronomi Veton Zuka
18:59 -04/06/2026
Dita e pestë e protestës për Zvërnecin, qytetarët nisen drejt Kryeministrisë
18:52 -04/06/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?