Grupi militant palestinez Hamas ka rënë dakord në parim për një propozim të ri për armëpushim në Rripin e Gazës.
Hamasi ia kishte përcjellë propozimin e shteteve ndërmjetësuese Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së – negociatorëve të Katarit me një “përgjigje pozitive”, tha një përfaqësues i organizatës, i cili nuk dëshironte të identifikohej.
“Megjithatë, nevojiten sqarime në lidhje me vazhdimin e armëpushimit pas periudhës fillestare 60-ditore, tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe aksesin e papenguar për ndihmë humanitare në zonën bregdetare të mbyllur”, shtoi ai.
Ndërmjetësit, kohët e fundit paraqitën një propozim për një armëpushim 60-ditor në luftën e Gazës, i cili filloi pas sulmit masiv të udhëhequr nga luftëtarët e Hamasit në Izraelin jugor, më 7 tetor 2023.
Sipas presidentit të SHBA-së Donald Trump, Izraeli tashmë ka rënë dakord për “kushtet e nevojshme” për finalizimin e armëpushimit.
Kushtet e sakta të propozimit të ri të ndërmjetësve mbeten ende të paqarta.
Sipas medieve izraelite dhe ndërkombëtare, marrëveshja e propozuar parashikon lirimin e 10 nga të paktën 20 pengjeve – që janë ende gjallë dhe dorëzimin e trupave të 18 të rrëmbyerve – në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Marrëveshjet e mëparshme të armëpushimit dështuan për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mes Izraelit dhe Hamasit.
Gjatë armëpushimit të kufizuar, palët duhej të negocionin detajet e një ndërprerjeje të përhershme të armiqësive
.
Hamasi po kërkon një marrëveshje që çon në një përfundim efektiv të luftës.
Izraeli kërkon të mbrojë të drejtën për të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake pasi të kenë kaluar 60 ditë nëse negociatat nuk sjellin një rezultat.