Sot Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosova lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit së televizionit.
Lidhur me këtë Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se MINT është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim dhe se procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.
Hajdari fton Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.
“Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht”, tha tutje ajo.