Grupi i Grave në Kuvendin e Komunës së Prizrenit ka reaguar lidhur me rastet e dhunës ndaj grave në Universitetin “Ukshin Hoti”. Përmes një deklarate ato kanë shprehur indinjatën dhe shqetësimin për aktet e përsëritura të kërcënimit dhe dhunës fizike e psikologjike ndaj grave në pozita akademike dhe drejtuese.
Kuvendaret e Prizrenit në deklaratën e tyre kanë bërë të ditur se të martën “gjatë mbledhjes zyrtare të Këshillit të Fakultetit të Filologjisë, asistentja Rr. R. është goditur në kokë nga një profesor i këtij fakulteti, akt i paprecedent dhe i papranueshëm në një institucion të arsimit të lartë”.
Lexo po ahtu:
“Sipas informacioneve të bëra publike, kjo dhunë fizike është ushtruar nga prof. Sh. M., i cili edhe më parë kishte kërcënuar verbalisht asistenten me fjalët: “Tash do ta shohësh kush është Sh. M.””, thuhet në deklaratën e Grupit të Grave në KK-në e Prizrenit.
Ky akt, sipas kuvendareve të Prizrenit, është vazhdimësi e një sjelljeje të dhunshme dhe frikësuese që profesori i sipërpërmendur ka manifestuar edhe ndaj ushtrueses së detyrës së Dekanes së Fakultetit të Filologjisë, V. D.
“Konsiderojmë këtë situatë jashtëzakonisht alarmante dhe i bëjmë thirrje: Universitetit “Ukshin Hoti” që të veprojë me vendosmëri dhe urgjencë për të garantuar sigurinë e stafit të tij akademik, duke pezulluar menjëherë çdo individ që ushtron dhunë; Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të ndërmarrin veprime të shpejta për hetimin dhe ndëshkimin e autorit të dhunës; Institucioneve për të drejtat e grave dhe shoqërisë civile, që të mbështesin viktimat e këtyre akteve dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e dinjitetit të tyre”, thuhet në deklaratë.
Tutje theksohet se dhuna ndaj grave në institucionet akademike nuk është vetëm çështje e individëve, por alarm shoqëror dhe institucional.
“Ne përfaqësueset e KK Prizren qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të çdo gruaje që guxon të flasë, të denoncojë dhe të kërkojë drejtësi”, thuhet në deklaratë, ku insistohet në solidaritet të plotë me V.D dhe Rr.R..
“Drejtësia për gratë nuk është privilegj, është detyrim institucional”, përfundon deklarata e kuvendareve të Prizrenit.