Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për hyrje në sistem kompjuterik dhe mashtrim, në një operacion të zhvilluar në Prishtinë dhe Suharekë.
Sipas Policisë, të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, përmes platformave online dhe thirrjeve telefonike kanë mashtruar qytetarë në shtete të ndryshme.
Gjatë aksionit policor, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 10 vetura, 15 kompjuterë, 4 telefona celularë, 2 laptopë, 4 USB, si dhe 48 mijë e 700 euro para të gatshme, përveç dokumenteve të ndryshme që lidhen me rastin.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet.


