GO+ Peja ka vazhduar formën e mirë në Pro Credit Superligë, duke e regjistruar fitoren e katërt rresht këtë sezon.
“Verdhezinjtë” e kanë mposhtur Rahovecin 029 me rezultat 87:79 në një ndeshje të fortë në Pejë.
Skuadra pejane e ka nisur lojën më mirë dhe e ka fituar çerekun e parë 20:16.
Edhe periudha e dytë i ka takuar vendasve, që kanë shkuar në pushim me epërsi 48:37.
Në pjesën e dytë, Rahoveci është përpjekur të rikthehej disa herë, por Peja e ka menaxhuar mirë avantazhin dhe e ka çuar ndeshjen deri në fund me fitore.
Te Peja është dalluar Alan Herndon me trembëdhjetë pikë dhe dymbëdhjetë kërcime, ndërsa te Rahoveci 029 më i miri ka qenë Kentrell Pullian me njëzet e tri pikë.
Pas kësaj ndeshje, GO+ Peja ka bilanc 4-0, ndërsa Rahoveci 029 mbetet me një fitore dhe tri humbje.


