Dëshmitari, Uran Ismaili, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka munguar në seancën e së hënës, në gjykimin për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, i cili ka qenë i ftuar të dëshmojë për këtë rast në cilësinë e dëshmitarit.
Dëshmitari i Ismaili ishte i ftuar edhe në seancën e kaluar, por në mungesë prokurorit për arsye shëndetësore seanca ishte anuluar. Por, i njëjti është njoftuar nga gjykata përmes telefonit për seancën e sotme.
Mungesën e dëshmitarit Ismaili e ka arsyetuar avokati i palës së dëmtuar, Armend Krasniqi, i cili tha se dëshmitari, Uran Ismaili sot ka pasur të udhëtojë jashtë vendit dhe sipas tij, i njëjti e ka dërguar biletën e udhëtimit si dëshmi.
Seanca për këtë rast është duke vazhduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ndryshe, në seancën e 4 marsit 2022, gati 7 vite prej ngritjes së aktakuzës për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, aktakuza ndaj dy të përfshirëve në këtë rast, Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, është ndryshuar.
Sipas prokurorit Armend Hamiti, nuk është Sherif Krasniqi ai që ka privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, siç përshkruhet në aktakuzën e vitit 2015, por Masar Gërdovci.
“I akuzuari Sherfi Krasniqi fillimisht fjaloset dhe e godet të ndjerin me grushte në prani të mysafirëve të tjerë në lokal i pandehuri Masar Gërdovi nxjerr revolen nga çanta që mbante në krahë, e repetit ia drejton të ndjerit Rr.U. por arma i bllokohet, prapë e tërheq këmbëzën, por revolja sërish nuk shkrep dhe derisa i ndjeri Rr.U. përkulet, i akuzuari Masar fillon të lëvizë në drejtim të daljes nga dera kryesore e lokalit, tani i ndjeri Rr.U. i vihet nga pas të akuzuarit Masar, ndërsa nga pas e kapë duke e goditur i akuzuari Sherif dhe me këtë thellësisht i kontribuon kryerjes së veprës penale. Kështu të tre kacafyten para daljes së lokalit ashtu duke u rrahur me të ndjerin, në momentin kur tani të akuzuarit dhe tani i ndjeri ndodhen në hapësirën e tarracës së përparme, i akuzuari Masar me dashje duke vënë në rrezik jetën e personave të tjerë në lokal ka privuar nga jeta tani të ndjerin duke shkrepur me revole dy-tri herë në distancë afërsisht 1 metër në drejtim të tani të ndjerit, duke i shkaktuar dy plagë tejshkuese”, kishte thënë prokurori Hamiti.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë dy herë aktgjykime dënuese, mirëpo këto aktgjykime ishin anuluar nga instancat më të larta të gjyqësorit.
Së fundi, Gjykata Supreme rastin e ka kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Sherifi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur dy herë për këtë rast, fillimisht në vitin 2019, ku kishte shpallur fajtorë për vrasje vetëm të akuzuarin Gërdovci, e më pas në vitin 2020 ku kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit për vrasje në bashkëkryerje.
Më 22 janar 2019 ishte shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarve, pasi paraprakisht ishte kuptuar se tre muaj para se të ngritej aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, prokuroria kishte asgjësuar provat në këtë rast.
Para shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja e ngarkuar me këtë lëndë, Suzana Çerkini, kishte kërkuar nxjerrjen e dy ekspertizave forenzike, por më pas kishte njoftuar palët në procedurë se nëpërmes përgjigjes me shkrim nga Agjencia Kosovare e Forenzikës, kishte njoftuar se arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale në këtë rast nuk ishte dorëzuar fare në agjenci.
Lidhur me këtë gjykatësja Çerkini, kishte njoftuar palët se përmes një raporti nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë, është shkatërruar.
Me aktgjykimin e vitit 2019 Masar Gërdovci, ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasje, ndërkaq Sherif Krasniqi, ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj, për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, pasi që ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.
Dënimi prej 4 vite e tre muaj burgim ndaj Krasniqit kishte qenë bazuar në nenin 190, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, i cili për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në 3 vite. Andaj vendimi i gjykatës për të shqiptuar një dënim më të lartë sesa ai që është paraparë me Kodin Penal të Kosovës konsiston në shkelje kushtetuese dhe ligjore nga ana e gjykatës, çfarë e bën këtë aktgjykim kundërkushtetues dhe të kundërligjshëm.
Ky vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve, të cilët kishin kërkuar rigjykim, raporton Betimi për Drejtësi.
Kolegji i gjyqtarëve të Apelit i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, gjyqtari referues Abdullah Ahmeti dhe anëtari Kreshnik Radoniqi, më 18 tetor 2019, kishin shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të dënuarve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk ishte pajtuar me ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarit Krasniqi, pasi që sipas saj gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Haxhi Millaku nuk ishte pajtuar me vendimin e gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë dënim më të lartë sesa ai i paraparë me Kodin Penal të Kosovës, pasi që sipas tij dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.


