Një gjykatë në Spanjë ka urdhëruar autoritetet të nisin procedura disiplinore ndaj Real Madridit, lidhur me publikimin e videove që synojnë dëmtimin e reputacionit të gjyqtarëve e La Ligës dhe vendimet e tyre në ndeshje të ndryshme.
Klubi madrilen ka publikuar vazhdimisht video në kanalin zyrtar të “Real Madrid TV”, të cilat analizojnë gabimet gjyqtarëve, që sipas tyre, kanë ndikuar negativisht në performancën e ekipit.
Disa nga këto video zgjasin deri në tre minuta dhe përmbajnë shembuj konkretë nga ndeshjet, duke vënë në pah vendime të diskutueshme nga gjyqtarët.

Situata mori një kthesë shqetësuese në prill, kur gjyqtari me përvojë, Ricardo de Burgos Bengoechea, shpërtheu në lot para finales së Kupës së Mbretit mes Real Madridit dhe Barcelonës. Ai tregoi se pas publikimit të një prej këtyre videove, familja e tij ishte sulmuar online dhe madje edhe fizikisht, duke ndier pasoja serioze personale.
Nga ana tjetër, Real Madridi ka këmbëngulur vazhdimisht se qëllimi i këtyre videove është të denoncojë, sipas tyre, një “strukturë të korruptuar” në sistemin e gjyqtarëve në Spanjë dhe se klubi është viktimë e padrejtësive të vazhdueshme.

Vendimi i gjykatës hap një kapitull të ri në përplasjen mes klubit dhe strukturave të futbollit spanjoll, duke vendosur në qendër të debatit etikën dhe përgjegjësinë në komunikimin sportiv.