Plaku i shtyrë në moshë, Musli Rexhepi, i cili u mbajt nëpër procese gjyqësore nënë akuzat se tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, sot mori vendimin e gjykatës për këtë rast, raporton KosovaNews.
Gjykata sipas asaj që ka deklaruar avokati Tomë Gashi, i ka dhënë gjyshit vetëm një vërejtje gjyqësore.
“Gjykata i dha vërejtje gjyqësore z.Musli Rexhepit, i cili sipas Gjykatës ka tentuar ta ndaloj apo pengoj grevën e SBASHKU-t në krye me z.Rrahman Jashari me datën 05.09.2022 Çudia më e madhe është se greva ka filluar me 25 Gusht dhe ka përfunduar më 1 Tetor 2022, pra nuk është ndaluar me 5.09.2022”, ka shkruar Gashi.
Ai në këtë rast kujtoi se greva që i la 320,000 nxënës pa mësim dhe i humbën mbi 3 milionë orë mësimi i dëshpëroi 640,000 prindër që së bashku me nxënës bëjnë rreth 1milion qytetar të Republikës sonë përfundoi me një vërejtje gjyqësore.
“Kështu shpenzon sistemi ynë juridik taksat e qytetarëve të Republikës tonë. Loja ende nuk ka përfunduar. Shihemi në Gjykatën e Apelit|, ka shkruar Gashi, duke lënë të kuptohet se do të kundërshtojnë edhe vërejtjen e gjykatës për këtë rast.
Ndryshe, sipas aktakuzës më 5 shtator 2022, rreth orës 11:40, i akuzuari pasi që kishte shkuar në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë për ta dërguar mbesën e tij për mbajtjen e mësimit kur e ka vërejtur se mësimi nuk po mbahet dhe arsimtarët janë në grevë, i njëjti ka hyrë brenda në shkollë ku ishte duke u mbajtur takimi i grevistëve me kryetarin e sindikatës dhe me të përfunduar ky takim derisa i dëmtuari Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut po dilte nga takimi, i akuzuari duke përdorur forcë dhe kanosje serioze me qëllim të pengimit të grevës, në mënyrë të kundërligjshme e ka kanosur tani të dëmtuarin me fjalët “ O plak po na i len fëmijët pa shkollë”.
Me këtë, Rexhepi akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtës në grevë”, nga neni 221, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
