Deti i Kuq dhe sulmet e herëpashershme të rebelëve Houthi në Jemen mbi anijet tregtare që përdorin këtë rrugëkalimi për të transportuar mallrat dhe karburantin nga Lindja drejt Perëndimit, mund të kthehet në problem për konsumatorët europianë këtë dimër.
Fakti që gjigantët e transportit ndërkombëtar të mallrave po shmangin rrugëkalimin e Kanalit të Suezit, do të thotë se ndërprerja e flukseve të zakonshme tregtare do të përkthehet në çmime më të larta të karburantit dhe mallrave, pasi rrugët alternative mund të shtojnë mijëra milje në transportin detar.
Kanali i Suezit është një zonë kyçe për tregtinë globale, veçanërisht për transportin e naftës, grurit dhe mallrave të konsumit nga Azia Lindore.
Perspektiva e udhëtimeve më të gjata për të përfunduar dërgesat po rrit kostot e tranzitit dhe si rezultat rrit çmimet e aksioneve të firmave të transportit.


