Kriza e të pastrehëve në Gjermani ka marrë përmasa alarmuese, me një rritje prej 50 për qind gjatë vitit të kaluar, ka raportuar mediumi lokal në Gjermani “BNN”.
Kjo rritje thuhet se i atribuohet kryesisht një fluksi të azilkërkuesve nga Ukraina dhe një rritje të jo-ukrainasve që aplikojnë për azil. Rritja e numrit të të pastrehëve është nxitur më tej nga rritja e qirasë, mungesa e banesave sociale dhe rritja e kostove të jetesës, duke i kufizuar mundësitë e akomodimit për refugjatët dhe grupet e tjera të cenueshme.
Raporti nga Shoqata Federale për Ndihmë ndaj të Pastrehëve ka hedhur dritë mbi krizën e strehimit, duke zbuluar se rreth një milion refugjatë që ikin nga lufta në Ukrainë dhe rreth 148.000 shtetas të tjerë, kanë rritur mungesën e strehimit në Gjermani.
Pjesa kryesore e këtyre kostove në rritje dhe mundësive të kufizuara të strehimit përballohet nga familje me të ardhura të ulëta, prindërit që jetojnë të vetmuar apo ata me shumë fëmijë.
Numri i të pastrehëve në Gjermani llogaritet të jetë 607.000, një rritje e madhe krahasuar me atë të 2021-s, që raportohej të ishin afro 383.000.
Në anën tjetër, sipas mediumit gjerman, fluksi i azilkërkuesve në Gjermani ka ngarkuar punën e autoriteteve lokale. Raportet e autoriteteve për menaxhim të rasteve sociale thonë se Gjermania pritet të përballet me fluks të madh të azilkërkuesve edhe në vitet pasues.


