Ardhja e bashkatdhetarëve tanë nga vendet e Evropës Perëndimore, përmes trafikut rrugor, ka shkaktuar pak ngarkesa në pikat e kalimit kufitar me vendet fqinje – veçmas me Serbinë.
Pika kufitare Dheu i Bardhë mbetet edhe sot më e ngarkuara, ku koha për të hyrë është rreth 10-20 minuta dhe për të dal 5-10 minuta, tregojnë të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Kjo pikë kufitare po shërben si rrugë alternative edhe për bashkatdhetarët që po vijnë në Kosovë, në pamundësi për të hyrë nga Merdarja, ku serbët të martën vendosën barrikada në anën e Serbisë.
Përveç Merdarës, të mbyllura janë edhe pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Kujtojmë se që nga 10 dhjetori, serbët lokalë të ndihmuar nga grupet ekstremiste me mbështetjen e Beogradit kanë vendosur disa barrikada në veri të Kosovës.
Vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Ndërkaq të mërkurën është paralajmëruar se këto të fundit do të largohen prej sot paradite.



