Një mjet shpërthyes është gjetur në Mitrovicë të Veriut gjatë punimeve në rrugë nga një kompani e kontraktuar nga komuna. Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Derisa kompania e kontraktuar nga Komuna ka qenë duke zhvilluar disa punime në rrugë, është hasur në një mjet shpërthyes. Njësitet e Specializuara Policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë larguar mjetin shpërthyes, i cili dyshohet të jetë granatë dore, tha zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, për RTKlive.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë rast përmes një postimi në Facebook. Më datë 29 maj 2025, rreth orës 14:28, Stacioni Policor në Mitrovicë të Veriut ka pranuar informacion nga një kompani që gjatë punimeve për rregullimin e trotuareve në rrugën “Xhon Kenedi” ka vërejtur një mjet të dyshimtë, për të cilin dyshohej se ishte granatë dore.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë publike. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (EOD), e cila ka bërë tërheqjen e mjetit që ka rezultuar të jetë granatë dore e modelit M-75, prodhim serb”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si “Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve.” Hetimet nga njësitë përkatëse policore vazhdojnë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë apo të rrezikshëm në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt të policisë, duke theksuar përkushtimin e saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.