Bashkëkryetarja e partisë GUXO, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se e pranon dorëheqjen e Haxhi Avdylit nga kjo parti, duke shtuar se askush nga ky subjekt politik nuk përfshihet në linçime ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se ka parë dorëheqjen e Avdylit në media dhe rrjete sociale.
“Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme. Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe perkrahësve, Partia Guxo e falenderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo”, ka shkruar ajo në Facebook.
Gërvalla-Schwarz më tej ka komentuar edhe motivet që sipas Avdylit e bënë që ai të dorëzojë dorëheqjen e tij.
“Për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të presidentes së Republikës”, përfundon ajo.
Avdyli sot dha dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në partinë Partia Guxo, duke reaguar ndaj asaj që e cilësoi si fushatë linçimi dhe sulmesh ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai tha se sulmet e ashpra ndaj presidentes, përfshirë edhe kërcënime dhe manipulime me inteligjencë artificiale që nxisin urrejtje, janë të papranueshme dhe i përkasin një politike që duhet të mbetet në të kaluarën.


