Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, Antero Lopes, me të cilin ka diskutuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e reformave në drejtësi.
“Reformat në drejtësi nuk janë zgjedhje politike e një momenti, por domosdoshmëri për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Reformat në drejtësi kërkojnë vendosmëri politike, institucione me integritet dhe zbatim të barabartë të ligjit. Bashkëpunimi me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm për t’i çuar këto procese përpara dhe për të forcuar besimin në institucionet e drejtësisë”, tha Gërvalla.
Duke folur për proceset reformuese në drejtësi, Gërvalla përmendi funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe miratimin e pakos ligjore të reformës në drejtësi.
“Funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesi i Vetingut dhe miratimi i pakos ligjore të reformës në drejtësi janë pjesë e një procesi të gjerë reformues për çlirimin e sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm nga krimi e korrupsioni, ndikimet e paligjshme e të pandershme dhe konfliktet e interesit, me qëllim të vetëm; forcimin e integritetit, pavarësisë dhe besueshmërisë së shtetit të së drejtës”, ka deklaruar Gërvalla.
Në takim, Gërvalla diskutoi edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it në monitorimin e sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë në trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
“Në këtë drejtim, bashkëpunimi me EULEX-in në monitorimin e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e përgjegjshmërisë institucionale dhe garantimin e një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv, me mbrojtjen e viktimave si prioritet”, tha Gërvalla.
Në fund të takimit, ministrja në detyrë e uroi shefin e ri të Misionit të EULEX-it, Lopes, për detyrën e re dhe i dëshiroi shumë suksese në ushtrimin e mandatit të tij

