Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka pritur në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë Dr. Monika Hauser, themeluese dhe kryetare e organizatës ndërkombëtare Medica Mondiale.
Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e Dr. Hauser në mbrojtjen e grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale si armë lufte, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm në këtë fushë për dekada me radhë.
Gjatë takimit, ku ishte e pranishme edhe Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, u diskutua për rëndësinë e luftimit të stigmës dhe ri-traumatizimit të të mbijetuarve, si dhe për nevojën e një qasjeje të ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë.
Gërvalla theksoi se drejtësia tranzicionale nuk mund të jetë e plotë pa adresimin e pasojave të traumës, njohjen e dinjitetit të të mbijetuarve, krijimin e kushteve të sigurta për dëshmitë e tyre dhe ndëshkimin e autorëve të krimeve.
Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e kujtesës kolektive gjithëpërfshirëse, bashkëpunimin rajonal në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe mundësinë që përvoja e Kosovës të shërbejë si referencë për shoqëritë që përballen me pasojat e luftërave.
Sipas Gërvallës, puna e Dr. Monika Hauser përfaqëson një dëshmi se mbrojtja e dinjitetit të të mbijetuarve, kërkimi i së vërtetës dhe drejtësisë janë jo vetëm çështje juridike e politike, por edhe obligime njerëzore dhe morale.
Postimi i Plotë:
Nder i veçantë të mirëprisja Dr. Monika Hauser, themeluese dhe kryetare e organizatës Medica Mondiale, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.
Një personalitet me autoritet të jashtëzakonshëm moral dhe profesional, si Dr. Monika, për dekada ka qenë ndër zërat më të fuqishëm në botë në mbrojtje të grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale si armë lufte.
Me të dhe znj. Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, folëm për nevojën e luftimit të stigmës dhe ri-traumatizimit të të mbijetuarve, për rëndësinë e një qasjeje të ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë dhe për forcimin e mekanizmave institucionalë në mbështetje të tyre.
Drejtësia tranzicionale nuk mund të jetë e plotë pa adresimin e traumës, pa njohjen e dinjitetit të të mbijetuarve, pa krijimin e hapësirave të sigurta për dëshmitë e tyre, dhe pa denimin e autorëve të krimeve, si parakusht për rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe funksionimin e drejtësisë.
Po ashtu, biseduam për rëndësinë e kujtesës kolektive gjithëpërfshirëse, për bashkëpunimin rajonal në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe për potencialin që përvoja e Republikës së Kosovës të shërbejë si referencë për shoqëri të tjera që përballen me pasojat e luftës.
Puna dhe përkushtimi jetësor i Dr. Monika Hauser është dëshmi e përjetshme se dinjiteti i të mbijetuarve, e vërteta dhe drejtësia nuk janë vetëm çështje politike apo juridike, por para së gjithash obligime njerëzore dhe morale.
Faleminderit, Dr. Monika Hauser, për nderin e kësaj vizite, për ngrohtësinë tënde njerëzore dhe për një bisedë që mbetet thellësisht frymëzuese.



