Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga MPJD, në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe proceset integruese euroatlantike.
“Takimi në mes të dy homologëve u fokusua në përparimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, përmes forcimit të shkëmbimeve institucionale dhe lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë që përbën një element kyç në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të fqinjësisë së mirë. Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj përparimit të proceseve integruese euroatlantike dhe mbështetjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, si një kontribut i domosdoshëm për një të ardhme të sigurt dhe prosperuese për të gjithë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Tutje theksohet se diskutimet u përqendruan edhe në çështje të përbashkëta rajonale dhe në identifikimin e mundësive për bashkëpunim më të ngushtë në fusha me interes të ndërsjellë.