Studiuesi e publicisti, Shkëlzen Gashi ka komentuar vlerësimet e bëra nga ish-kryenegociatori kosovar në bisedimet me Serbinë, Skender Hyseni i cili deklaratat e presidentes Vjosa Osmani për zyrtarin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep, Borrell, i krahasoi me ato të Sllobodan Millosheviqit.
Sipas Gashit, arsyeja pse ka deklarata të tilla është se personat që kanë mbajtur poste të larta dikur tashmë “nuk po munden të vjedhin”.
“S’po mujnë mo me vjedhë, e kjo gjendje për ta osht shumë e randë, qaq e randë saqë liderët aktualë politikë të Kosovës po i krahasojnë me Milošević-in”, ka shkruar Gashi në Facebook, të mërkurën.
Hyseni që pos si kryenegocitator në të kaluarën ka mbajtur edhe pozicione si ministër i jashtëm dhe i brendshëm, ka thënë se Vjosa Osmani “është duke e përdorur retorikën që gjithë bota janë armiqtë të Kosovë”.
“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”, ka thënë Hyseni në një prononcim për Tëvë1, të martën.
Ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta, por më i ashpri erdhi nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvallla, që dikur Hysenin e kishte bashkë-partiak në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Zoti t’marroft” ka qenë mallkimi i Gërvallës drejtuar Hysenit për analogjinë e ngritur nga ai.
Deklarata stë ngjashme me të Hysenin kanë dhënë më parë edhe esponëntë të tjerë të opozitës. Por ajo më skandalozja ka qenë e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos rrëshqasë në pozicione fashiste kur merret me serbët e veriut.
Molliqaj, duke folur në emisionin Pressing në T7, ka thënë se ka ngjashmëri trajtimi i serbëve të veriut me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit.
“Problemi në veri nuk mund të trajtohet me përdorimin e forcës dhe fuqisë. Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka ngapak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi”, ka deklaruar Molliqaj.


