Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, pjesë e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku po diskutohet lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë, ka thënë se Kosovës tepër gjatë i është mohuar vendi i merituar në Evropë.
“Tepër gjatë, Kosovës i është mohuar vendi i merituar në Evropë. Sot këtu qëndrojmë para jush si të barabartë, të gatshëm që të marrim vendin tonë në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në KiE nuk është vetme çështje e rëndësisë politike, por edhe çështja e imperativit moral për të gjithë atë që kanë besuar në parime demokratike, të drejta të njeriut etj”, ka deklaruar Gashi.
“Sot i kërkoj secilit prej jush të qëndroni në anën e duhur të historisë, të qëndroni pranë Kosovës dhe parimeve që definojnë identitetin tonë evropian”, ka vijuar ai.
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, rreth orës 17:30, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.
Shumica e deputetëve që kanë marrë fjalën e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës.