Tashmë janë bërë mbi dy dekada që mbi 1600 persona të vrarë nga forcat serbe dhe të cilët u janë zhdukur, ende po kërkohen nga familjarët e tyre dhe institucionet e Kosovës.
Kushtrim Gara, nga Komisioni për të Pagjetur në kuadër të Qeverisë së Kosovës, tha se Serbia ka politizuar çështjen e të pagjeturve.
Çështja e të pagjeturave, siç tha ai, duhet të ketë trajtim të veçantë në të gjithë nivelet dialoguese.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë shembull në rajon për trajtimin e informacioneve për personat e zhdukur”, tha Gara në RTK duke shtuar se do të ketë ndryshime në çështjet ligjore për të pagjeturit.
Po ashtu ai tha se Komisioni për të Pagjetur në kuadër të Qeverisë së Kosovës, po angazhohet edhe me shoqatat e të pagjeturve dhe akterëve të tjerë që të zbardhet fati i tyre.
Ndryshe, sipas KNKK-së 6 mijë e 65 persona janë zhdukur në luftën e fundit në Kosovë gjatë vitit 1998-1999.
Shumica prej tyre janë gjetur nëpër varrezat masive në Serbi, ndërsa edhe 1 mijë 617 të tjerë rezultojnë të zhdukur, prej të cilëve 1 kijë 355 janë meshkuj dhe 262 femra. Forcat serbe pasi kishin vrarë shqiptarë, i kishin marrë me vete trupat për t’i fshehur gjurmët e krimit.


