Instituti GAP ka publikuar raportin që pasqyron nikimi financiar të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Sipas këtij raporti, masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera për një afat të pacaktuar. Brenda kësaj shume, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.
“Puna e organeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ishte ndërprerë deri në maj të vitit 2025, fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) janë pezulluar, dhe propozimet e Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) nuk janë duke u shqyrtuar nga Bordi i ËBIF. Për më tepër, Kosova nuk është përfshirë në ngjarje të nivelit të lartë, përveç atyre që lidhen me situatën në veri dhe integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Për heqjen e këtyre masave nevojitet një konsensus i plotë i vendeve anëtare të BE-së, ku deri më tani nuk është marr ndonjë vendim i tillë”, thuhet në raportin e GAP.
Sipas GAP-it, sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.
“Nga gjithsej mjetet e ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro janë projekte në kuadër të IPA (IPA II dhe IPA III) dhe rreth 395.5 milionë euro janë projekte në kuadër të ËBIF. Realizimi i këtyre projekteve ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta sikurse institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe vetëfinancim në vlerën prej 31 milionë euro”, thekon GAP.
Këto vonesa, sipas GAP-it, në fillimin e zbatimit të projekteve nënkuptojnë shtyrje ose humbje të mundësive për rritje, zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht perspektivën për integrim evropian.
“Qëllimi i këtij raporti të shkurtër është të ofrojë një pasqyrë të mbështetjes financiare që Kosova ka marrë nga BE dhe të analizojë ndikimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës duke evidentuar humbjet dhe pasojat zhvillimore që kanë rezultuar nga pezullimi i projekteve dhe fondeve të BE-së”, thekson GAP.
Nga qershori i vitit 2023, Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian.