Galeria Kombëtare e Kosovës e ka hapur këndin përkujtimor të veprës së profesorit Shyqri Nimani. Kësisoj, drejtorit të parë të këtij institucioni, i cili e ka ushtruar detyrën për 10 vjet, po ia sjellin në dritë të publikut punën e tij nga arkivi dhe koleksioni i GKK-së.
Këndi në nderim të tij mund të vizitohet për çdo ditë të javës.
Shyqri Nimani u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri. Nimani njihet si dizajneri i parë grafik, ai po ashtu është një ndër themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve.
Nimani diplomoi në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, me 1967, në seksionin e librit. Ai i kreu studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njëjtin universitet dhe vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-78.
Me 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës, detyrë që e ushtroi për 10 vite. Përgjatë këtyre viteve kontriboi në krijimin e koleksionit, arkivës dhe indentitetin vizuel të GKK-së apo siç njihej në atë kohë si Galeria e Prishtinës.