Galatasaray ka shtuar edhe një trofe të rëndësishëm në vitrinën e vet, pas triumfit në finalen e Kupës së Turqisë, duke mposhtur Trabzonsporin me rezultat bindës 3-0.
Finalja u zhvillua në stadiumin “Gaziantep Kalyon” dhe u dominua nga skuadra e Galatasarayt që e zgjidhi ndeshjen me efikasitet të madh në të dy pjesët.
Golin e parë e realizoi Baris Alper Yilmaz që në minutën e pestë, duke i dhënë një start ideal ekipit të tij.
Më pas, skena iu la sulmuesit nigerian, Victor Osimhen, i cili shënoi dy herë – një herë në fillim të pjesës së dytë dhe sërish në minutën e 63-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar.
Me këto dy gola, Osimhen jo vetëm që ndihmoi Galatasarayn të sigurojë trofeun, por edhe shkroi historinë. Ai tani është golashënuesi më i mirë i huaj në një sezon të vetëm me fanellën e Galatasarayt, duke regjistruar plot 35 gola. Rekordin e mëparshëm e mbante Mario Jardel me 34 gola në sezonin 2000/01.
Ky triumf shënon herën e 19-të që Galatasaray fiton Kupën e Turqisë, duke e forcuar edhe më shumë statusin si një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme në historinë e futbollit turk.