Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin e Krimeve të Rënda, të martën ka filluar rishtazi seanca e rigjykimit ku Ismet Haliti, bashkë me Skender Canollin po akuzohen se në cilësi të personave zyrtar në Komunën e Prishtinës i kishin mundësuar H.V përfitim nga ndërtimet pa leje.
Gjykimi filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të anëtarit të trupit gjykues, ku në vend gjykatësit Gazmend Bahtiri është caktuar gjyqtari Gezim Ademi.
Pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar dhe të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse.
Prokurori i shtetit Bashkim Zeqaj ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më 14 janar 2019.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi ka mbetur në tërësi pranë fjalës hyrëse të paraqitur në vitin 2019, duke shtuar se sipas aktakuzës objekt i veprës penale është aktvendimi i 15 tetorit 2006 dhe Gjykata e Apelit e potencon pikërisht këtë fakt e që sipas tij, nisur nga kjo rrethanë këtu kemi të bëjmë me parashkrimin absolut të veprës penale.
Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Skender Canolli, avokatja Ibadete Veliqi-Ajvazi në fjalën e saj hyrëse tha se pas administrimit të provave të propozuara nga ana e prokurorit të shtetit nuk do të vërtetohet fajësia e të mbrojturit të saj.
Sipas saj, do të vërtetohet edhe fakti që i akuzuari Canolli në kohën kur është nxjerrë vendimi për rrënim në vitin 2006 e deri në vitin 2008 kur është ekzekutuar ky vendim, i njëjti ka qenë shofer në Komunën e Prishtinës dhe se ai asnjëherë nuk është ngarkuar me vendimin për rrënim që nga viti 2008, shkruan Betim për Drejtësi.
“Sa për sqarim të gjykatës, vendimi për rrënim ekzekutohet vetëm një herë dhe mbikëqyret nga inspektori i cili e ka nxjerr vendimin për rrënim pasi që ai e din se çka duhet me rrënu dhe nëse prapë fillohet e ndërtohet duhet të nxirret përsëri vendim i ri gjë që në këtë rast nuk ka pasur një vendim të ri”, tha avokatja Veliqi-Ajvazi.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit-dëshmitarit Emin Baholli i cili fillimisht deklaroi se nuk do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike pasi që nuk e ndjen veten si palë e dëmtuar me arsyetimin se ajo banesë është e motrës së tij dhe ai kishte qenë vetëm i autorizuar për rregullim të dokumentacionit dhe mirëmbajtje të banesës.
Dëshmitari Baholli tha se atë banesë e kishte blerë nga personi Shkelzen Gashi i cili kishte qenë punëtor në kompaninë ndërtimore “Dardania”, ku kishte nënshkruar një kontratë të thjeshtë pasi që e njëjta nuk ishte e legalizuar dhe nuk kishte pranim teknik.
Ai ka sqaruar se afër kësaj banese kishte filluar të ndërtohej edhe një objekt tjetër i cili ishte rrënuar nga Komuna e Prishtinës por që më pas i njëjti objekt ishte ndërtuar sërish edhe pse kishin kundërshtuar disa herë.
“Po i njëjti objekt është ndërtuar sërish por kush e ka ndërtu nuk e di, edhe pse ne kemi kundërshtuar disa herë, ka pas ndërprerje por që ka vazhduar prapë dhe dikur e kemi heshtur këtë çështje”, tha dëshmitari Baholli.
Dëshmitari tha se të akuzuarit Krasniqi dhe Canolli nuk i njeh dhe se të njëjtit i ka parë vetëm në gjykatë dy herë.
Më pas, në mungesë të dëshmitarëve Hamide Mustafa dhe Fatmir Gashi, seanca e sotme është ndërprerë ndërsa e radhës u caktua të mbahet më 11 prill 2023.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 9 qershor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ismet Haliti dhe Skënder Canolli të cilët në vazhdimësi nga muaji qershor i vitit 2008 deri në muajin prill të vitit 2014, i pandehuri Ismet Haliti në cilësinë e personit zyrtar Shef i Sektorit të Ndërrimit në Komunën e Prishtinës, ndërsa i pandehuri Skënder Canolli në cilësinë e personit zyrtar – Ekzekutues – Përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk kanë vepruar në kuadër të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie pasurore Habib Vllasaliu, ashtu që nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës 09 nr.354.20069 t 6 tetorit 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje në pronën e Habib Vllasaliut edhe përkundër faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formën e shkruar nga Inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet sipas aktvendimit të 5 tetorit 2006 dhe se objekti duhet të rrënohet.
Tutje, sipas aktit akuzues të njëjtit edhe për kundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare me ç’rast i kanë mundësuar përfitim Habib Vllasaliut nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.
Me këtë, Haliti dhe Canolli në bashkëveprim po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.


