Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan sot fillimin e punimeve për shtrirjen e rrjetit optik të Telekomit të Kosovës, një projekt strategjik që shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve fikse të komunikimit në të gjithë territorin e vendit.
Gjersa u prit nga Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, së bashku me drejtorin teknik Halil Krasniqi, anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe Kryetarin e Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, kryeministri Kurti u informua për detajet teknike, hapësirën gjeografike që do të mbulohet dhe ndikimin konkret që ky investim do të ketë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Projekti përfshin zgjerimin e rrjetit optik në tërë territorin e vendit, duke mundësuar akses në: internet me shpejtësi të lartë (fiber), shërbime të avancuara televizive (IPTV/OTT) e linja moderne telefonike.
“Po e bëjmë vendosjen e fibrave optikë këtu në Fushë Kosovë që do të jetë shumë i dobishëm si për amviseritë, ndërtesat banesore, gjithashtu edhe për zonat industriale për bizneset e vendit tonë. Telekomin e Kosovës kjo udhëheqje e ka gjetur në 50 milionë euro borxhe, dhe në vitet 2023 dhe 2024, së bashku e kanë kthyer në një ndërmarrje fitimprurëse me 15 milionë euro fitim, dhe që është veçanërisht e rëndësishme, në fund të vitit të kaluar, bashkë me gjigandët e teknologjisë nga Suedia dhe nga Kroacia, Ericsson dhe Tesla, kemi bërë modernizimin e rrjetit dhe e kemi mbuluar gjithë territorin e republikës, përfshirë edhe katër komunat në veri të Ibrit, me rrjetin 4G dhe 5G”, tha kryeministri.
Ai shtoi se punimet po fillojnë në Fushë Kosovë e do të shtrihen anembanë territorit të vendit, gjersa falënderoi ministren Rizvanolli, kryeshefen Burbuqe Hana, menaxhmentin, bordin dhe të gjithë punëtorët e Telekomit për këtë rezultat të përbashkët, për cilësinë e shërbimeve në rritje dhe çmimet e përballueshme.

“Po ashtu jemi larguar prej disa operatorëve të ndryshëm të cilët na kanë pajisur me teknologji prej vendeve të cilat nuk janë mike me Kosovën dhe e kemi bërë zëvendësimin, tash çdo gjë e kemi me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s dhe Telekomi i Kosovës do ta ketë përkrahjen e aksionarit, pra Qeverisë së Republikës, për të vazhduar, për ta shtrirë rrjetin e optimizuar edhe më tej, pra edhe fiks edhe mobil”, u shpreh kryeministri Kurti.
Kryeshefja Hana, nga ana e saj, falënderoi qeverinë për mbështetjen dhe theksoi përkushtimin e Telekomit për të vazhduar me rezultate konkrete e investime të zgjuara, ndërsa nga bordi i Telekomit u theksua përkrahja nga ana e qeverisë dhe mbështetja deri në arritjen e operimit me fitim të Telekomit të Kosovës dhe investimeve që janë zhvilluar në rrjetin mobil e tashmë po zhvillohen në atë fiks përmes fibrave optikë.
Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, gjithashtu falënderoi edhe punëtorët e Telekomit për punën e tyre dhe angazhimin dhe qeverinë për mbështetjen.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Kënaqësi të jemi këtu bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me kryeshefen e Telekomit, Burbuqe Hana, gjithashtu edhe me drejtorin teknik nga menaxhmenti, Halil Krasniqi, dhe me kryetarin e sindikatës, Lamih Balaj, dhe me anëtarët e bordit të Telekomit, këtu në Fushë Kosovë, teksa shënojmë suksese të reja të Valës të Telekomit të Kosovës.
Po e bëjmë vendosjen e fibrave optikë këtu në Fushë Kosovë që do të jetë shumë i dobishëm si për amviseritë, ndërtesat banesore, gjithashtu edhe për zonat industriale për bizneset e vendit tonë. Telekomin e Kosovës kjo udhëheqje e ka gjetur me 50 milionë euro borxhe, dhe në vitet 2023 dhe 2024, së bashku e kanë kthyer në një ndërmarrje fitimprurëse me 15 milionë euro fitim, dhe që është veçanërisht e rëndësishme, në fund të vitit të kaluar, bashkë me gjigandët e teknologjisë nga Suedia dhe nga Kroacia, Ericsson dhe Tesla, kemi bërë modernizimin e rrjetit dhe e kemi mbuluar gjithë territorin e republikës, përfshirë edhe katër komunat në veri të Ibrit, me rrjetin 4G dhe 5G.
Gjithashtu tash edhe shërbimet e internetit, përshembull tv-së kabllore dhe linjat telefonike fikse që gjithashtu s’bën t’i harrojmë, janë duke u vendosur edhe duke u instaluar. Po fillojmë duke treguar Fushë Kosovën, por kjo do të vazhdojë nëpër krejt Kosovën. E kemi përzgjedhur Fushë Kosovën sepse është komuna me rritjen më të madhe të popullsisë, sipas regjistrimit të popullsisë dhe me popullsinë më të dendur në këto vitet e fundit.

Po ashtu jemi larguar prej disa operatorëve të ndryshëm të cilët na kanë pajisur me teknologji prej vendeve të cilat nuk janë mike me Kosovën dhe e kemi bërë zëvendësimin, tash çdo gjë e kemi me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s dhe Telekomi i Kosovës do ta ketë përkrahjen e aksionarit, pra Qeverisë së Republikës, për të vazhduar, për ta shtrirë rrjetin e optimizuar edhe më tej, pra edhe fiks edhe mobil.
Me këtë rast falënderoj ministren, falënderoj kryeshefen, menaxhmentin, bordin dhe të gjithë punëtorët e Telekomit për këtë rezultat të përbashkët, me ç’rast po rritet cilësia, çmimet janë të përballueshme dhe edhe konkurrenca po ndërmerr për shërbimet e tyre, duke parë investimet tona, që tregon se fuqizimi i Telekomit ka ndikuar që edhe ata të cilët janë po ashtu në treg të kujdesen më shumë për shërbimet, përkatësisht cilësinë e shërbimeve që u japin qytetarëve pa dallim.
Çdo rajon i Kosovës, secila komunë e Kosovës, çdo lagje, qytet, qytezë, çdo fshat, anembanë edhe në katër komunat veriore do të jetë i mbuluar, me fibra optikë të cilën ne po e bëjmë tash duke filluar këtu në Fushë Kosovë, për të vazhduar anembanë Kosovës, sepse edhe kur ta shikoni hartën e Kosovës, Fushë Kosova në skajet e saj është në qendër të Kosovës, prej këtu po shtrihemi anembanë. Faleminderit edhe njëherë për këtë punë të madhe që keni bërë e për këtë kontribut të çmuar për qytetarët dhe bizneset!