Sonte Filharmonia e Kosovës nderon veprimtarinë muzikore të kompozitorit Rexho Mulliqi nëpërmjet një koncert të dedikuar në 100-vjetorin e lindjes së tij.
“Simfonia kosovare” quhet vepra e cila do të dëgjohet në skenë pas 13 vjetësh mungesë në Kosovë.
“Do të interpretohet një vepër e Rexho Mulliqit, e që është një veprave të mëdha jo veç të tij por edhe të literaturës së muzikës klasike në Kosovës. Është interpretuar shumë rrallë, në Kosovë së fundmi para 13 vjetëve, tash vjen me interpretim të dytë por më të kompletuar sepse është punuar jashtëzakonisht shumë në editimin e veprës, teksa ekziston veç një incizim i kësaj vepre e orkestruar nga Radio Televizioni i Ljublanjës”, ka thënë menaxheri Dardan Selimaj.
Programi do të dirigjohet nga Gregory Charette, ndërkaq do të performojë në piano edhe Andi Duraku, shkruan RTK.
“E kemi nisur në ditën e lindjes, në 18 mars të këtij viti dhe gjatë vitit kemi dashur ta mbajmë gjallë këtë përvjetor, ashtu siç bëjnë vendet e tjera për kompozitorët, me të cilët krenohen dhe e identifikojnë muzikën”, ka thënë menaxheri i Filharmonisë së Kosovës.