Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve konsultative me liderët e partive politike, ka pritur në takim kryetarin e kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës Fikrim Damka.
Takimet janë duke u zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, si dhe për të krijuar hapësirë për dialog politik mes subjekteve parlamentare.
Presidentja Osmani ka filluar këtë raund të ri të konsultimeve pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që ka sjell më shumë qartësi për rrjedhën e procesit të konstituimit. Takimet po mbahen në mënyrë të ndarë me secilin lider politik, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të dakorduar dhe funksionale.
Në vijim të agjendës së saj, presidentja sot pritet të takohet edhe me përfaqësues të komuniteteve.
Osmani i priti të mërkurën kreun e VV-së, Albnin Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si edhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.
Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e kuvendit, tha presidenca në një komunikatë pas takimit.