Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur sot në një takim njoftues Atasheun e ri Ligjor të FBI-së për Kosovë, Brendan Collins, me seli në Sofje të Bullgarisë.
Në këtë vizitë, z. Collins ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të FBI-së dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Drejtori Hoxha e falënderoi për vizitën dhe i uroi suksese në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së.
Në takim u diskutua për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera që paraqesin interes të përbashkët.
“Ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe ka prodhuar rezultate konkrete. Policia e Kosovës është e gatshme ta forcojë edhe më shumë këtë partneritet,” deklaroi Drejtori i Përgjithshëm.
Policia e Kosovës konfirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare në funksion të sigurisë së qytetarëve.


