Punëtorët në Kosovë vazhdojnë të pësojnë, duke humbur edhe jetën. Në 24 orët e fundit në Kosovë, Policia ka raportuar për tre të lënduar në vendet e tyre të punës.
Në Çagllavicë një person ka pësuar lëndim pasi ka rënë nga lartësia, ndërsa ishte duke punuar në një shtëpi në ndërtim.
Personi ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa rasti po hetohet.
“Çagllavicë, Graçanicë 24.06.2023 – 11:30. Një mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore pasi, dyshohet se ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar në një shtëpi në ndërtim. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve ka lëndime të rënda trupore. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërsa dy persona janë lënduar në vendin e tyre të punës në Milloshevë të Obiliqit.
Ata kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK.
“Milloshevë, Obiliq 24.06.2023 – 12:45. Dy viktima meshkuj kosovar kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK pasi që, janë lënduar në vendin e tyre të punës. Njësia përkatëse është duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.
Kujtojmë se një rast i vdekjes ndodhi vetëm pak ditë më parë në Ferizaj, kur një punëtor ra nga lartësia ku punonte, kurse një tjetër ra nga platoja e një objekti në Gjilan dhe në gjendje të rendë është dërguar për trajtim në QKUK.