Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, dje në Parlamentin Europian ka bërë thirrje për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ka kërkuar nga Komisioni Europian që të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ai tha se kjo mund të ndodhë edhe pa pranimin e Këshillit Europian, i cili ka përgjegjësinë për këtë.
“Hiqni këto masa kufizuese, normalizoni marrëdhëniet ndërmjet të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Kosovës, njihni atë dhe pranoni aplikimin. Dhe edhe pa pranimin e Këshillit, Komisioni tashmë mund të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës”, tha ai.
Reuten tha se Kosova është një partner i BE-së, ndërsa akuzoi Këshillin e BE-së për bllokim të kërkesës së saj për anëtarësim.
“Kosova është një partner, që ndan vlerat dhe këndvështrimin tonë gjeopolitik. Megjithatë, Këshilli i BE-së vazhdon të bllokojë pranimin e thjeshtë të kërkesës për anëtarësim të këtij partneri. Kështu e trajtoni një partner?”.
Deputetët e Parlamentit Europian dje kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.
“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, ka thënë raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.
Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kërkuan të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.