Disa nga ambasadorët e vendeve të Quint-it kohë më parë kanë arritur në oborrin e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast do të zhvillojnë një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Tashmë eskortat e ambasadorëve janë parkuar në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Ky takim pritet të zhvillohet vetëm pak kohë para se Kurti të fillojë mbledhjen e Qeverisë, e cila është paralajmëruar të mbahet në ora 16:00.
Deri tani nuk është dhënë ndonjë sqarim se për çfarë po bëhet ky takim i ambasadorëve me Kurtin, por me gjasë mund të jetë diskutimi mbi afatin për targat dhe gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje.
Vendet e Quintit janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara, Italia, Franca dhe Gjermania.
Afati për riregjistrim të makinave me targa RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Krerët e institucioneve të Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe kryeministri Albin Kurti kanë deklaruar se e ka për obligim zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare, kur janë pyetur lidhur me kërkesën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe./KosovaNews/

