Lëvizja Vetëvendosje njoftoi të hënën se ka marrë ftesë në seancën ku pritet të vendoset masa e përkohshme ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.
Vetëvendosje i ishte drejtuar në muajin gusht Gjykatës Themelore të Prishtinës, me padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesor-afarist”.
Masa e sigurisë, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për më shumë se 60 ditë me radhë.
Asamblisti i VV-së në Prishtinë Egzon Azemi, deklaroi se projekti është shumë i dyshimtë, e 17 mijë metra katrorë të qytetarëve “janë në rrezik”.
“Shumë kohë pasi u zgjodh fituesi, u kuptua se bëhej fjalë për projektin më gjigant të ndërmarrjes sa i takon banimit. Projekt 200 milionë euro, 17 mijë metra katrorë”, deklaroi ai.
Gëzim Sveçla, shef i Grupit të asamblistëve të VV-së, u shpreh se heshtja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po e vazhdon tolerimin e krimit dhe po e mbron këtë projekt që sipas tij është i paligjshëm.
Për gjithë këtë muajin e kaluar, më saktësisht më 8 gusht, ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se Gjykata Themelore në Prishtinë po i neglizhon rastet të cilat kanë të bëjnë me interesin publik.
Kurti ka theksuar faktin se gjykatat janë shumë efektive kur kërkesa të tilla bëhen nga partitë e tjera politike.