Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka quajtur sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ngjarjen e ndodhur të dielën në veri të vendit.
Pas takimit të zhvilluar të hënën me kryeministrin Albin Kurti, Sarrazini ka thënë se të dielën është parë një situatë e tmerrshme.
“Dje pamë një situatë të tmerrshme. E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”, ka thënë mes tjerash ai.
Sarrazin ka ardhur në Kosovë një ditë pas sulmeve terroriste të organizuara nga grupe të uniformuara serbe në Banjskë të Zveçanit ku u vra një polic i Kosovës dhe tre të tjerë u lënduan.
Ndërkohë institucionet për zbatimin e ligjit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria po vazhdojnë edhe sot angazhimet në veri të vendit dhe janë duke i lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se ka armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist ku mbeti i vrarë një polic.
