Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës me 18 dhjetor të vitit të kaluar i kishte shqiptuar gjobë MTS d.o.o. – kompania simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, “Telekom Serbia” e cila operon në Kosovë në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.
Autoriteti i Konkurrencës e kishte gjobitur MTS me shumë prej 1 milion, 563 mijë e 959.29 euro, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
AKRK-ja në vendimin e saj ka thënë se MTS d.o.o. ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.
Këtë vendim, MTS e kishte ankimuar në Gjykatën Komerciale të Kosovës ku kishte kërkuar shtyrjen e vendimit të Autoritetit të Konkurrencës deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Por Gjykata Komerciale e Kosovës ka refuzuar ankesën e MTS duke e konsideruar si të pabazuar.
KosovaNews ka siguruar aktvendimin prej 6 faqesh të Gjykatës Komerciale të cilin e ka marrë gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi më 9 janar 2024.
Në këtë aktvendim thuhet se: REFUZOHET si e pabazuar kërkesa e paditësit MTS SH.P.K. me numër të regjistrimit te biznesit 71206742, me seli në adresën Rr.”‘Boshnjacka Mahala Oslobogjenje” Nr. 1,Mitrovica e Veriut, ka parashtruar padi kundër Autoritetit për Konkurrencë me seli në Prishtinë me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit me Nr. 120/23 te datës 18.12.2023 të Autoritetit të Konkurrencës deri në vendim përfundimtar të gjykatës.
Në arsyetimin e gjykatës thuhet se:
Pretendimi kryesor i paditësit/propozuesit për shtyrje të ekzekutimit te gjobës është dëmi i pariparueshëm për shkak të gjobës në shumën 1.563.959,26 euro do te kishte pasoja të pallogaritshme për paditësin në kuptimin që do tě vinte në pikëpyetje mbijetesën e biznesit te tij, me arsyetim se paditësi aktualisht ka gjithsej 1,209,340 euro ne llogari me gjendje te 26 dhjetorit 2023 (Llogaria 1 – 36,027 euro; Llogaria 2 – 1,173,313 euro).
Për ta vlerësuar pretendimin e paditësit gjykata ju referua Nenit 57 të Ligjit NR. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës ku përcaktohen Gjobat për shkelje të rënda paragrafi 1. përcakton:Dënohet me gjobe deri në 10% të qarkullimit të përgjithshëm që ka realizuar në tërë botën në vitin e fundit për të cilin është përmbyllur raporti financiar, ndërmarrja ose grupimi i ndërmarrjeve.
Gjykata vlerëson si të pabazuara në prova pretendimet e paditësit të paraqitura në kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit lidhur me dëmin e pariparueshëm që do ti shkaktonte pagesa e gjobës në shumën 1.563.959,26 euro, ngase paditësi këtë pretendim nuk e ka bazuara në prova për ta vërtetuar qarkullimin e përgjithshëm që ka realizuar në tërë boten në vitin e fundit për të cilin është përmbyllur raporti financiar, ndërmarrja ose grupimi i ndërmarrjeve, siç përcaktohet në nenin 57 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Paditësi në shkresat e lëndës që i ka bashkangjitur i referohet dëshmisë nr. 17; dhe shtojcës 21, te cilat gjykata vlerësoj se prova nr. 17 ka të bëjë me Pasqyrat tremujore të Tatimit dhe Kontributeve për Biznesin Individual “Ivan Radosavljevic” B.I. Shtojca nr. 21 ka të bëjë me Formularin e Deklarimit Vjetor dhe Pagesës për Tatimin në të Ardhura të Biznesit “”VGN NET”, sh.p.k.
Nga shkresat e lëndës konstatohet se paditësi nuk ka bashkangjitur Raport financiar bankar për ta dëshmuar qarkullimin e përgjithshëm në vitin e fundit, i cili raport nuk duhet të kufizohet vetëm në qarkullimin e vjetor në Republikën e Kosovës por duhet të dëshmohet me Raporte financiare bankare nga të gjitha vendet në të cilat operon e që sipas arsyetimit të vendimit të kundërshtuar rezulton që Paditësi MTS Sh.p.k në Republikën e Serbisë për vitin 2022 ka realizuar qarkullim në vlerë prej 983,859,968.64 €.
Operatori serb MTS kishte ngritur paralele edhe me kompaninë “Art Motion” së cilës i është pezulluar certifikata e biznesit nga ARBK-ja pasiqë në regjistrimin e biznesit kishte përdorur dokumente të strukturave paralele serbe të cilat janë të papranueshme për institucionet e Kosovës.
Por Gjykata Komerciale i ka hedhur poshtë këto pretendime të MTS duke thënë se këto raste nuk janë aspak të ngjashme dhe nuk mund të merren për bazë.
Gjykata shqyrtoi edhe pretendimin e paditësit që i referohet vendimit të Gjykatës nar. 340/23. date 17.08.2023, me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrjen ekzekutimit te aktit administrativ te paraqitur nga Artmotion Sh.p.k. por vlerëson se çështjet kontestueses nuk janē të njëjta ngase ka në vendimi nr. 340/23 ka të bëjë me shfuqizimin e certifikatën e biznesit të kompanisë “Artmotion” Sh.p.k. ndërsa çështje kontestuese në rastin e paditësit MTS sh.p.k është shqiptimi i gjobës administrative që nuk janë as përafërsisht të ngjashme. Thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.
Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës thuhet se paratë e gjobës duhet të derdhen në llogarinë bankare të buxhetit të Kosovës. AKRK-ja i kishte hapur dy procese të ndryshme ndaj MTS-së, që është degë e Telekomit të Serbisë.Rasti i parë, për të cilën ka shqiptuar gjobë, kishte të bënte me blerjen e katër operatorëve të tjerë të vegjël që ofrojnë po ashtu shërbime të integruara të internetit e televizionit kabllor pa e njoftuar Autoritetin e Konkurrencës.
Ndërsa e dyta ka të bëjë me atë se po synohet edhe blerja e operatorit “Net Plus” të Graçanicës me mbi 30 për qind të tregut në këtë komunë.