Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka miratuar sot tarifat e reja të energjisë elektrike, që do të jenë më të shtrenjta për 15 për qind.
Tre anëtarë të bordit votuan pro kësaj pikë dhe asnjë nuk ishte kundër.
Kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, tha se kjo po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, kostot do të jenë edhe më të larta.
“Arsyeja është furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, meqenëse ne konsiderojmë që nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm kostoja do të jetë shumë me e madhe sesa kjo rritje e cila është propozuar, ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, ka theksuar Fejzullahu.
Nga ZRrE kanë treguar për sa euro do të shtrenjtohet faturat, për secilën kategori, dhe theksohet se po të mos kishte ndodhur kjo rritje atëherë do të ishim përballur me reduktime të rrymës.
“Kjo rritje është rritje minimale për të reflektuar që të kemi energji elektrike të vazhdueshme për tërë këtë vit, dhe 3 muajt e vitit 2024. Konsumatorët të cilët shpenzojnë deri në 350 kw rritja do të jetë për një muaj rreth 3 euro. Konsumatorët të cilët shpenzojnë më shumë se 600 kë do të paguajnë rreth 5 euro e 50 cent.
Po aktualisht edhe propozimi i bordit ishte që të kemi rritje lineare, pra njëjtë edhe për ata që shpenzojnë nën dhe mbi 800 kw. Ata që konsumojnë 1000 kw, mund të shpenzojnë mbi 800 kw, fatura do të rritet për rreth 10 euro. Ne kishim mundur që ta ndalojmë këtë rritje, mirëpo pastaj do të kishim reduktime. Pra është e domosdoshme kjo rritje që të mos kemi ndërprerje të energjisë elektrike”, tha Fejzullahu.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.