Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Ambasadorin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, sot e kanë nënshkruar marrëveshjen për programin e parë financiar vjetor IPA III.
Kjo marrëveshje është në vlerë të 63.96 milionë eurove.
Bislimi para mediave ka thënë se ka qenë i madh numri i projekteve që është bërë në kuadër të marrëveshjes së kaluar të IPA.
“IPA 2021 është marrëveshja ma e madhe financiare që ka Kosova. Numri i projekteve është shumë i madh, por ajo se çfarë kemi bërë për shkak të vonesave që janë shfaqur gjatë pandemisë COVID-19, një pjesë e projekteve IPA II i kemi shtyrë afatet, ndërsa projektet që kanë rezultuar me kursime i kemi bartur në IPA III”, tha Bislimi.
Ai shtoi se të gjitha këto projekte që janë në IPA III pritet të përfundojnë në afat prej tre vitesh.
“Të gjitha projektet që janë negociuar kanë një afat kohor prej tre vite. Mirëpo, ka mundësi që nëpërmjet amendamenteve projekteve t’iu zgjatet afati i zbatimit”, shtoi ai.


