Një pjesë e mësimdhënësve, punëtorë të administratës publike, shërbyes civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga 25 gushti kanë hyrë në grevë dhe po kërkojnë para shtesë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për pagat.
Kërkesat e tilla janë kundërshtuar nga Qeveria, e cila thotë se tani nuk është koha për greva, pasi së fundmi është hartuar Projektligji për pagat dhe së shpejti kjo çështje do të rregullohet.
E sot në në konferencë për media ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka sqaruar se nuk janë kundër grevistëve, por sipas tij ata do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.
“Greva duhet të deklarohet dhe ajo është instrument për t’u mbrojtur punëtorët, sepse ata që janë në grevë nuk mund askush ti largoj nga puna. Por nëse ka punëtorë që nuk deklarojnë se janë në greve dhe nuk punojnë atëherë kjo është çështje disiplinore”, ka thënë Murati.
Ai ka shtuar se gjatë viteve dhe për vit sindikatat marrin para nga anëtarësia dhe me ato para ata mund të bëjnë pagesat për orët e grevës, por assesi nuk mund të paguhen nga punëdhënësi, sepse kështu përcaktohet me ligje.
Ministri Murati theksoi se praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk i obligojnë punëdhënësit për t’i paguar punëtorët që janë në grevë.
Zhurma më e madhe ditëve të fundit nuk është bërë për faktin se një pjesë e punonjësve filluan grevën, por çështja se kinse ata po kërcënohet se mund të mos marrin pagesat për kohën sa janë jashtë procesit të punës, pra në grevë, shkruan KosovaNews.
Në fakt pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur atyre pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.
Kjo ka nxitur reagime nga disa drejtues të sindikatave, të cilët janë ankuar se Qeveria po u bën presion në këtë mënyrë që të mos vazhdojnë me grevën.
E kjo temë sidomos është shfrytëzuar tej mase nga subjekte politike që aktualisht janë në opozitë, por ato kohë të gjatë kanë qenë në pushtet dhe kanë miratuar e votuar ligje, që përkufizojnë krejt diçka tjetër me atë që sot e thonë.
Çka thotë ligji për greva në Kosovë
Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se, organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’, raporton KosovaNews.
Por, Neni 18 i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.
Por, sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm.
Pagesa e punonjësve gjatë grevës
Greva organizohet konform Ligjit Nr. 03/L-200 për grevën (Ligji bazik), i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-200 për grevat (Plotësim-ndryshimi i Ligjit).
Neni 18, shumë qartë përcakton se e drejta për pagesë pezullohet gjatë zhvillimit të grevës.

Këtë e përforcon edhe neni 6 i Ligjit për grevën, i cili parasheh që të punësuarit që punojnë gjatë grevës “në shërbimet e rëndësisë jetike me qëllim të sigurimit të minimumit të procesit të punës, kanë të drejtë në pagë, në përputhje me kohën e kaluar në punë”. Kjo nënkupton se grevistët tjerë nuk kanë të drejtë në pagë, sepse, përndryshe, nuk do të kishte nevojë për një normë të tillë.