Pushtet e opozitë, shumica e tyre janë bërë sot bashkë dhe i kanë kaluar disa marrëveshje ndërkombëtare, por duke përjashtuar këtu deputetët e LDK-së që dolën kundër e nuk morën pjesë në votim për marrëveshjen që rregullon reformën e skemës sociale.
Në fakt Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, është shtyrë disa herë në Kuvend, deri sa sot mori miratimin.
Kështu LDK doli kundër marrëveshjes për reformë dhe rregullimin e stazhit të punëtorëve të viteve 90-ta.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë muajit shkurt në prezantim para deputetëve të Marrëveshjes në fjalë, pati thënë se ajo mundëson reformat në skemat pensionale dhe sociale e cila është në vlerë prej 47 milionë euro.
Ai pati kërkuar nga deputet që ta votojnë këtë marrëveshje pasi është e rëndësishme.
“Kjo marrëveshje mundëson reformat në skemat pensionale dhe sociale. Në vlerë prej 47 milionë euro kjo marrëveshje është lidhur me Bankën Botërore. Arsye pse po e sjellë për herë të tretë, sepse e konsiderojmë që është i rëndësishëm që duhet të bëhet. Janë më mijëra familje dhe qindra pensionist që presin që kjo marrëveshje të kalojë. Po të ishte një marrëveshje e thjesht nuk do të kisha sjellur për herë të tretë. Të lihen anash inatet politike”, tha ai.
Këtë marrëveshje, e ka përkrahur si më parë edhe sot Partia Demokratike e Kosovës, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kështu pas një kohe të gjatë pritjes marrëveshja ka kaluar dhe tashmë i është hapur rrugë reformës sociale.