Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka vizituar gjatë ditës së sotme Fabrikën e Biçikletave “Albimi LTD” në Gjilan, e cila është përfituese e trefishtë e masave mbështetëse të Qeverisë dhe ka arritur të shënojë rritje të eksportit dhe punësim.
Ajo ka përfituar nga masat 2.4 – Mbështetje e Eksportit dhe 2.1 – Subvencionim i Kredisë, të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Me rastin e vizitës kryeministri Kurti tha se së fundmi kjo fabrikë ka punësuar 12 të rinj përmes platformës Superpuna, të cilën Qeveria e ka lansuar në fillim të muajit të kaluar.
“Ka rreth 70 punëtorë, paga mesatare e të cilëve është 478 euro, kurse kapacitetin e prodhimit e ka 27 mijë biçikleta në vit. Produktet e tyre, krahas tregut vendor, eksportohen edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian si në Spanjë – rreth 23% të eksportit, Hungari, Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Slloveni dhe Kroaci”, tha kryeministri.
Sipas tij, ky biznes është histori suksesi e ndërmarrësisë, prodhimit vendor, eksportit dhe masave qeveritare mbështetëse.
“Ishte kënaqësi dhe nder që bashkë me ministrin Murati, të shohim nga afër punën e tyre dhe të bashkëbisedojmë me punëtorë dhe me pronarin, Ibrahim Krivaqa”.