Ad image

​DOKUMENT – Në Brezovicë u harxhuan 756 euro e që nuk dihet nga cilët deputetë

Alban Begolli
Alban Begolli 16:14 -08/06/2022

Në tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet vetëm dreka zyrtare nga komisionet parlamentare kanë arritur 1 mijë e 864 euro, prej tyre vetëm Komisioni për Legjislacion, i cili udhëhiqet nga deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka shpenzuar 1 mijë e 589 euro, transmeton KosovaNews.

Kështu thuhet në raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës të prezantuar sot nga ana e sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Raporti I shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, tre mujori i parë 2022

Deputetët e këtij komisioni patën vërejte edhe për mos transparencë dhe shpenzime enorme të udhëtimeve, si dhe të akomodimit brenda Kosovës, siç është rasti për shpenzimet 756 euro në një hotel në Brezovicë gjatë janarit të këtij viti.

Deputetja Jeta Statovci theksoi se Komisioni për Legjislacion dominon për shpenzime për dreka zyrtare dhe shprehu dyshimet se 6 fatura janë të datës së njëjtë.

Statovci: Komisioni për Legjislacion dominon me shpenzime

“Në kuadër të Komisioneve në raport me shpenzimet për dreka zyrtare, kemi një dominim të Komisionit për Legjislacion, mirëpo nëse shikohen shpenzimet, diku janë 6 fatura të datës së njëjtë. Të gjitha kanë të bëjnë më 16.02 euro, janë shuma të ndryshme në tabelat për shpenzimet e Komisioneve, pra të Komisionit për Legjislacion, janë më datën 16 shkurt 2022, 6 fatura të shumave të ndryshme”, theksoi Statovci.

Edhe deputeti Eman Rrahmani ka kërkuar detaje për shpenzimet në Brezovicë gjatë dimrit, i cili nuk mori përgjigje nga sekretari Krasniqi, por ky i fundit ka premtuar se do të përgjigjet me shkrim.

Ai kritikoi administratën e Kuvendit edhe për kontratat vetëm me një operator ekonomik, sa i përket biletave të udhëtimit me kompaninë “Altavia travel”.

Rrahamani: Të bëhen transparente shpenzimet në Brezovicë

“Është në interes me ditë edhe për juve, por edhe për transparencë ndaj publikut se kush ka udhëtuar, për shkak se jemi 120 deputetë, edhe duhet të dihet se cili ka udhëtuar për t’u bërë edhe krahasimi i çmimeve se qysh janë dhe kur ka ndodhur. E njëjta mënyrë e raportimit është edhe për akomodim brenda vendit, 756 euro në “Brezovica hotel”, nuk dihet cili komision, cili grup, cila ka qenë arsyeja. Prandaj, është mirë të specifikohen këto, për shkak se duhet të dihet se edhe qytetarët se për çka kanë shkuar atje (në Brezovicë), edhe muaj është janar, skijimi, kështu që ka mundësi të keqkuptohet kjo çështje. Kështu që të paktën me ditë se kush ka qenë atje”, theksoi Rrahmani.

Krasniqi për rastin Brezovica, tha se do të përgjigjet me shkrim, derisa për disa deputet që kanë udhëtuar jashtë vendit ua përmendi emrin.

Sa i përket kompanisë “Altavia travel”, sekretari Krasniqi tha se kjo kompani për shitjen biletave është kontraktuar nga Autoriteti Qendrore.

Krasniqi: Të gjitha shpenzimet e udhëtimeve janë kode të specifikuara

“Kemi udhëtimet p.sh. që kanë ndodhur në Turqi, Kroaci, Francë… Bekim Arifi, Erxhan Galushi, Rrezarta Krasniqi, do të thotë janë kode, të specifikuara. Ndërsa, si faturë në total është fatura që i është paguar operatorit ekonomik. Kodet janë se kush ka udhëtuar për Strasburg, për Paris. Po, do t’i sjellim të gjitha përgjigjet me shkrim patjetër”, theksoi Krasniqi.

Për tre muajt e parë të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 1 milion e 819 mijë e 199 euro, prej tyre për paga dhe shtesa 1 milion e 592 mijë euro, ndërsa për mallra dhe shërbime 162 mijë euro.

Kjo është bërë e ditur sot nga sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi gjatë arsyetimit të raportit të shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2022 para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Krasniqi: Për paga dhe shtesa janë shpenzuar 1 milion e 592 mijë euro

“Shpenzimet për tre mujorin e parë për katër programet siç janë deputetët, administrata, stafi mbështetës dhe komisioni ndihmës shtetërore, janë si në vijim: Paga dhe shtesa shuma prej 1 milion e 592 mijë euro, mallra dhe shërbime 162 mijë euro, shpenzimet komunale 64 mijë euro”, theksoi Krasniqi.

Ai po ashtu bëri të ditur se vendimi për reduktimin e shpenzimeve për udhëtimin e deputetëve, është firmosur nga ana e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni miratoi raportin e shpenzimeve të kuvendit, si dhe raportin vjetor financiar të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2021.

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, është miratuar edhe kërkesa e Zyrës Kombëtare e Auditimit për vendosjen e këtij institucioni në një objekt publik.

Zyra Kombëtare e Auditimit që nga themelimi e deri më tash ka shpenzuar 3 milionë euro vetëm për qira në objekte private.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë arsyetimit të kërkesës, tha se aktualisht vlera e kontratës mujore për objektin ku gjenden tani në lagjen “Arbëria”, është 13 mijë e 500 euro, ndërsa për një vit 162 mijë euro.

Spanca: Vlera e tërësishme e qirasë së paguar deri më tani është 3 milionë euro

“Vlera e tërësishme e qirasë e paguar deri më tani është 3 milionë euro. Kontrata e fundit e lidhur, përkatësisht ndërtesa në të cilën gjendemi aktualisht është lidhur në vitin 2018 me një kohë-zgjatje prej 5 viteve dhe ekziston një kusht aty që mund ta ndërpresin kontratën, me kushtin që ta njoftojmë 6 muaj përpara. Vlera e kontratës mujore është 13.500 euro, ndërsa ajo vjetore 162.000”, theksoi ajo.

Komisioni i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë së Kosovës dhe AKP-së që të ofrojnë një objekt të përshtatshëm pune brenda objekteve publike për ZKA-në.

Po ashtu ky komision ka miratuar edhe Raportin Vjetor Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021./KosovaNews/

Shpërndaje