Armend Muja i VV-së ka thënë se propozimi për tërheqjen e trustit është i dizajnuar që t’i ndihmojë shtresës së lartë dhe të mesme të lartë, por se nuk e lufton inflacionin e rrezikon ta bartë inflacionin te shtresa e ulët.
Ai ka thënë se debati duhet të zhvillohet se çka duhet të bëhet për 700 mijë qytetarë që nuk punojnë asgjë.
Ka theksuar se nuk e rekomandojnë tërheqjen dhe ka kërkuar nga deputetët të mos e votojnë.
“Komisioni për buxhet e ka shqyrtuar projektligjin. Ky është propozimi i dytë me radhë brenda një periudhe të shkurtër. Në propozim ekziston një justifikim dhe thuhet që ky projektligj ta luftojë inflacionin dhe rritjen e çmimeve duke mos e ditur se janë e njëjta gjë. Ky kuvend e ka dhënë verdiktin më 2022. Nga BQK-ja guvernatori vlerëson se tërheqja nuk ndihmon në luftimin e inflacionit, përkundrazi e përkeqëson. FMN dhe banka botërore janë kundër. Kur bëhen propozime të tilla, paraprihet me një fushatë për gjendje të rëndë ekonomike por që nuk mbështetet me të dhëna. Me këtë propozim nga trusti do të tërhiqen 594 milionë. Fituesit më të mëdhenj janë 66 mijë kontribuues. Gjysma e shumës tërhiqet nga 5 për qind e fuqisë punëtore. Gjysma tjetër iu shpërndahet kategorive tjera. Afër 600 mijë qytetarë të aftë për punë nuk tërheqin asgjë dhe kjo politikë nuk i ndihmon ata. Kryekëput kjo nismë është për t’i ndihmuar ata të shtresës së lartë 5 për qindshin”.
Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se vlerësimi i Mujës nuk është qëndrim i Komisionit, por qëndrim i tij personal. Hoti ka thënë se Muja s’mund të përdorë argumente në emër të komisionit.
“Duhet të tërhiqet nga ai fjalim dhe ta respektojë rregulloren”, ka thënë Hoti ndërsa i ka dhënë mbëhstetje tërheqjes së Trustit.
E, Ferat Shala ka thënë se PDK-ja e mbështet fuqishëm këtë nismë.
“Arsyeja e parë është se është nismë e qytetarëve. E dyta është situata e rënduar, gjendja pas pandemisë, kriza energjetike, inflacioni i lartë vonesa me ligjin e pagave dhe loja me pagën minimale”.
Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, si propozues i kësaj iniciative ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i cili do të mundësonte tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti.
“Ju sot para se ta ngrini dorën pro ose kundër duhet të ktheheni prapa dhe të shihni se pse qytetarët po e kërkojnë tërheqjen e trustit. Po iu rikujtoj se buka ishte 30 cent sot është 60 cent …. Ka shtrenjtim eneorm të çmimeve të produkteve elementare dhe jeta është vështirësuar edhe më shumë. Këto ngritje të çmimeve e kanë rënduar jetën e qytetarëve dhe të çdo familjeje”, ka theksuar Haxhiu, derisa e ka arsyetuar Projektligjin para deputetëve në seancën që po mbahet të enjten.


