Çështja e trajtimit të luftës në Kosovë në arsimin formal mbetet ende sfidë e madhe për gjeneratat e reja.
Sipas ekspertëve dhe vetë nxënësve, përmbajtja në kurrikulë nuk është e plotë dhe nuk përfshin mjaftueshëm informacion rreth asaj periudhe kaq të rëndësishme dhe komplekse të historisë së fundit.
Sipas Zoran Saviq, koordinator projektesh në OJQ Aktiv “lufta Kosovë- Serbi nuk trajtohet mjaftueshëm në librat shkollorë serbë apo arsimin formal”.
“ Ajo nuk është pjesë zyrtare e kurrikulës kombëtare, gjë që përbën një boshllëk të madh në mënyrën se si ky kapitull i dhimbshëm dhe kompleks i historisë së fundit trajtohet institucionalisht”, thotë Saviq.
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e drejtësisë tranzitore në arsimin formal.
“Sa di unë, drejtësia tranzitore nuk mësohet në shkolla, dhe sipas mendimit tim, ky subjekt duhet të integrohet në kurrikulë që nga klasa e pestë, kur fëmijët janë rreth 11 apo 12 vjeç dhe janë në gjendje të fillojnë të kuptojnë çështje kaq të rëndësishme qytetare”, tha ai.
Saviq shton se arsimi është një mjet kyç për pajtimin në shoqëri.
“Arsimi luan një rol kyç në këtë proces, dhe ai duhet të evoluojë për të përgatitur gjeneratën e ardhshme për pajtimin dhe jo për vazhdimin e ndarjeve të trashëguara”, shtoi ai.
Ai thekson edhe rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në këtë proces.
“Në shoqëritë pas-konfliktit, shoqëria civile luan një rol thelbësor në mbushjen e boshllëqeve, rindërtimin e besimit dhe promovimin e pajtimit afatgjatë. Ndërsa mekanizmat institucionalë shpesh dështojnë në trajtimin e dimensioneve njerëzore dhe emocionale të konfliktit”, theksoi Saviq.
Nga ana tjetër Andi Shyti, nxënës në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, shpreh mendimin e tij lidhur me mungesën e informacionit në librat shkollorë për luftën.
“Duhet patjetër me qenë në kurrikulë informatat, materialet rreth luftës të fundit në Kosovë. Sa herë e shfletoj librin nuk përmendet emri i Adem Jasharit, liderët e ndryshëm që kanë qenë cak, nuk përmendet mundi e shumë flijime që kanë ndodhur, vuajtjet shumë pak përmenden, vështirësitë shumë pak përmenden” tha ai.
“Në libra nuk ka informacione shumë rreth luftës, vetëm në lëndën Gjuha dhe Letërsia përmendet në disa pjesë, por prapë nuk ka mjaftueshëm informacion.”, shtoi Shyti.
E ndërsa Arbër Salihu, zyrtar pranë Ministrisë së Arsimit, thekson se:
“Në kurrikulat tona parashikohet që nxënësit të mësojnë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Për kulturën, traditat e komuniteteve tjera. Sa i përket aspekteve historike nxënësit mësojnë për ngjarjet që kanë ndodhë, mësohet edhe për luftën” tha ai.
Megjithatë, Salihu thekson edhe dallimet mes kurrikulave.
“Sa i përket periudhës së luftës, ajo është e përfshirë si pjesë e kurrikulës. Por serbët përdorin kurrikulë tjetër. Shqiptarët dhe komunitetet tjera (përja
Ai përmend edhe sfidat në zbatimin e mësimit.
“Varet shumë prej përgatitjes dhe qasjes së mësimdhënësve. Nëse mësimdhënësit janë të përgatitur dhe kreativ atëherë sheh edhe trajtim adekuat të përshtatshëm të kësaj çështje. Por, edhe e kundërta mësimdhënës të përgatitur jo mirë ka mundësi që këtë temë nuk e trajtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme” tha Salihu./Valentina Istrefi.
Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.