Komuna e Prishtinës ka ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësira publike, nga 25 dhjetori deri më 3 janar.
Në njoftimin e Komunës thuhet se përdorimi i mjeteve piroteknike është i ndaluar në tregje, rrugë dhe sheshe.
Ditë më parë edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim për të ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në këtë komunë.
Urdhëresa që Bulliqi ka nxjerr të mërkurën vlen nga dita e enjte (22 dhjetor) deri më 3 janar 2023.
Ndërsa, për ata që nuk i përmbahen këtij vendimi, parashihen edhe gjoba.
Shitja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike është e paligjshme kanë thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), raporton KosovaNews.
Sipas MPB-së, një nga mënyrat për të parandaluar përdorimin e tyre, dhe rrjedhimisht dëmtimet e mundshme, është denoncimi i shitësve.
“Gjobat variojnë nga 200 deri në 500 euro për përdorim dhe 3 deri në 10 vjet burg për prodhimin dhe tregtimin e mjeteve piroteknike”, thuhet në një njoftim të MPB-së./KosovaNews


