Kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdottir, të martën i është bashkuar grevës në së grave në gjithë vendin, me kërkesën që t’u jepet fund pagave të pabarabarta dhe dhunës me bazë gjinore.
Kryeministrja ka bërë të ditur se do të qëndrojë në shtëpi si pjesë e “ditës së pushimit të grave” dhe po pret që edhe gratë e tjera në kabinetin e saj të bëjnë të njëjtën gjë.
“Ne nuk i kemi arritur ende objektivat tona për barazi të plotë gjinore dhe ne ende po trajtojmë hendekun e pagave me bazë gjinore, i cili është i papranueshëm në vitin 2023”, është shprehur ajo.
Organizatorët u bënë thirrje grave dhe personave që e identifikojnë vetën si jogjinor, që gjatë grevës njëditore, të refuzojnë punën që u paguhet dhe atë që nuk u paguhet, përfshirë punët e shtëpisë.
Shkollat dhe sistemi shëndetësor, sektorë këto që kanë fuqi punëtore të dominuar nga gratë, kanë paralajmëruar se do të ndikohen shumë nga greva njëditore.
Greva e së martës po cilësohet si më e madhja që nga hera e parë që është organizuar më 24 tetor të vitit 1975, kur 90% e grave refuzuan të punojnë, të pastrojnë ose të kujdesen për fëmijët, si mënyrë e të shprehurit të zemërimit ndaj diskriminimit në vendin e punës. Një vit më pas, Islanda miratoi një ligj që garantonte të drejta të barabarta pavarësisht nga gjinia.
Grevat në Islandë ka frymëzuar protesta të ngjashme në vende të tjera, përfshirë Poloninë, ku gratë bojkotuan punët dhe mësimet në vitin 2016 për të protestuar kundër propozimit për ndalimin e abortit.
Për 14 vjet me radhë, Islanda është renditur si vendi më barazinë më të madhe gjinore në botë, nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili mat pagat, kujdesin shëndetësor arsimor dhe faktorë të tjerë.
Asnjë vend nuk ka arritur barazi të plotë ende.


