Rreth 50 alpinistë, mes tyre edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë marrë pjesë në ngjitjen e parë të edicionit 2025 të iniciativës “Ecje me Ambasadorin”. Kjo ekspeditë u udhëhoq nga alpinistja e njohur shqiptare, Uta Ibrahimi.
Ngjitja kishte për qëllim Majën e Konjushkës në Malet e Sharrit dhe shënoi nisjen simbolike të një viti të ri të ecjeve që synojnë forcimin e lidhjeve ndërmjet komunitetit dhe përfaqësive diplomatike.
Në një postim në Facebook, Ambasada Gjermane theksoi se pjesëmarrës në këtë ngjitje ishin edhe pjesëtarë të Divizionit Malor të Ushtrisë Gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
“Ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar dhe ndarë përvoja me ushtarët tanë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në postim u përmend edhe arritja e fundit e Uta Ibrahimit, e cila ka përfunduar misionin e saj për të ngjitur të gjitha 14 majat mbi 8,000 metra, përfshirë Kangchenjungën – malin e tretë më të lartë në botë.
Megjithëse grupi vazhdoi ecjen përmes mjegullës dhe reve të dendura, për arsye sigurie u mor vendimi që të ktheheshin pas kur arritën te Liqeni i Konjushkës, pranë majës.
“Mali gjithmonë fiton dhe mirëqenia e grupit ishte prioriteti ynë kryesor”, thuhet më tej në postim.
Ishte planifikuar edhe një takim në majë me përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Shkup, por kushtet e motit nuk lejuan realizimin e tij.
Ambasada vlerësoi ambasadorin gjerman në Maqedoninë e Veriut, Peter Zingraf Drexler, i cili arriti të ngjitej deri në majë, duke i shprehur atij “respekt të madh” për këtë arritje.